Aktiviteti i biznesit – Rritet shfrytëzimi i kapaciteteve
Biznesi rriti shfrytëzimin e kapaciteteve prodhuese në shumicën e sektorëve për tremujorin e parë të këtij viti. Mbështetur në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në industri u rrit me 1.3 pikë përqindje dhe arriti në 77.1%.
Rritje u shënua edhe në sektorin e ndërtimit, ku bizneset rritën shfrytëzimin e kapaciteteve me afro 3.6 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Me tendencën rritëse të tremujorëve të fundit, ky tregues është ngjitur mbi mesataren historike të sektorit, në 66.4%.
Sektori i shërbimeve është gjithashtu në rritje dhe mban normën më të lartë të shfrytëzimit të kapaciteteve në ekonomi. ajo rezultoi rreth 78.9%, afro 8 pikë përqindje mbi nivelin e shënuar në tremujorin e mëparshëm. Kjo normë qëndron mbi nivelin e shënuar në të njëjtën periudhë një vit më pare dhe ndjeshëm mbi mesataren historike.
Rënie e shfrytëzimit të kapaciteteve për tremujorin e fundit të vitit të kaluar u shënua vetëm në degën e tregtisë. Me gjithë rënien tremujore prej 4 pikësh përqindjeje, ajo qëndron rreth 1.3 pikë përqindje mbi nivelin e shënuar në të njëjtën periudhë një vit më parë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, ekonomia shqiptare është drejt mbylljes së hendekut negativ të prodhimit, çka nënkupton një shfrytëzim të plotë të kapaciteteve të rritjes.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.