Alerti nga varianti Delta edhe në Shqipëri – Manastirliu: Nuk duhet të ulim vigjilencën edhe pse nga sot ndryshojnë masat anticovid
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njofton se nga sot 1 Korrik, hyn në fuqi plani i lehtësimit të mëtejshëm të masave anticovid, për t’i dhënë më shumë frymëmarrje jetës social-kulturore dhe turizmit në vend.
Megjithatë Manastirliu thekson se mbetet ende alerti nga varianti Delta, i cili është identifikuar edhe në vendet pranë nesh, ndaj apelon të gjithë qytetarët të mos të ulim vigjilencën dhe vijojmë të ecim me shpejtësi me vaksinimin anticovid, për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve.
Gjithashtu nga dita e sotme ora policore shtyhet në orën 24:00 – 06:00 ndërsa muzika do të lejohet deri në orën 22:00.
Lejohen kampionatet sportive me prezencë të tifozëve, me kapacitete të reduktuara deri në 30% si dhe aktivitetet e teatrove, shfaqjeve artistike dhe kulturore me kapacitet të reduktuar gjithashtu në 30%.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.