Shtyhet më tej pezullimi i fluturimeve të Adria Airways – AAC: pasagjerët të kërkojnë kompani të tjera ose të kompensohen
Autoriteti i Aviacionit Civil ka bërë me dije se në përfundim të afatit të ndalimit të përkohshëm të fluturimeve, për datat 24-25 Shtator 2019, kompania e fluturimeve Adria Airways lajmëron vijimin e “ndalimit të përkohshëm të operimeve edhe për datat 26 dhe 27 Shtator, tek vijon bisedimet me investitorë të mundshëm.
Nga ana e përfaqësuesve të AAC në aeroport, raportohet se kompania ka marrë masa duke mbrojtur pasagjerët, të cilët dy ditët e fundit kanë fluturuar me kompani të tjera. Përfaqësuesit e kompanisë në aeroport konfirmojnë, se ka filluar njoftimi i pasagjerëve të prekur dhe e njëjta strategji e ri-rezervimit me kompani të tjera do të përdoret dhe për fluturimet që do të anulohen dy ditët në vazhdim, përkatësisht në datat 26 dhe 27 Shtator 2019.
AAC i rekomandon të gjithë pasagjerët që kanë planifikuar të fluturojnë me kompaninë Adria Airways, të kontaktojnë me zyrën e shitjes së biletave, në mënyrë që të kërkojnë ri-rezervimin me kompani të tjera ose të kompensohen.
Së fundmi, AAC sjell në vëmendje të pasagjerit shqiptar, se biletat e fluturimeve janë kontratë individuale e pasagjerëve me kompaninë dhe duhet të përzgjidhen si të tilla. Pasagjerët këshillohen, që para blerjes së biletave të mësojnë më shumë mbi reputacionin e kompanive në internet. Një kërkim i thjeshtë, do ju pajisë me të gjithë informacionin e nevojshëm për të bërë zgjedhjen e duhur që tregu ofron.
E.S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.