Arbitrazhet, mbi 1 mln USD – Studio shqiptare e të huaja për gjyqet jashtë kufijve, si do përzgjidhen?
Avokatët dhe studiot vendase ashtu si dhe ato të huajat do të kenë të drejtë të aplikojnë për të mbrojtur institucionet shqiptare në gjyqet e arbitrazhit apo në përplasje jashtë kufijve. Një vendim i Këshillit të Ministrave përcakton se Avokatura e Shtetit do të kontraktojë avokatë apo studio për çdo çështje dëmshpërblimi i së cilës i kushton shtetit shqiptar mbi 100 milionë lekë, afërsisht 1 milionë dollarë.
Objekt i vendimit është përcaktimi i procedurave dhe i kritereve për përzgjedhjen, kontraktimin dhe pagesën e avokatëve ose zyrave të avokatisë vendase ose të huaja. Procedura do hartohet e do të mbikëqyret nga një Komision i përbërë nga 5 vetë.
Komisioni zbaton kriteret e vlerësimit me qëllim vlerësimin e ofertës nga pikëpamja ekonomiko-teknike, si: Oferta ekonomike; Përvoja profesionale e ofertuesit; Eksperienca të ngjashme të stafit kryesor të propozuar me natyrën e mosmarrëveshjes dhe/ose të shërbimit të kërkuar; si dhe raste të suksesit në procedime të ngjashme me objektin e procedurës së konkurrimit.
Propozimit me çmimin më të ulët do t’i jepet vlerësimi maksimal prej 40 pikësh. Propozimit me numrin më të madh të rasteve i jepet vlerësimi maksimal prej 20 pikësh, ndërkohë që po kaq pikë do të përfitojë edhe ofertuesi që paraqet numrin më të madh të rasteve të ngjashme të fituara më parë.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.