“Argument” – “Pagat e Luftës” dhe bizneset që nuk duan të aplikojnë. Çfarë po ndodh me procesin
Në krizën që ka shkaktuar pandemia e COVID-19, qeveria shqiptare ka nxjerrë dy paketa financiare për të ndihmuar bizneset dhe punonjësit në përballimin e kostove.
Procesi i këtyre paketave është shoqëruar me ankesa dhe parregullsi, ndërsa kryeministri ka lajmëruar edhe masën ekstreme, se bizneset që nuk aplikojnë për të marrë ndihmën financiare do të gjobiten.
Të ftuar në “Argument” me gazetarin Enio Civici mbrëmjen e sotme ishin për të diskutuar rreth kësaj teme Milva Ikonomi, Elisabeta Dosku, Pajtim Melani dhe Ines Muçostepa.
Gazetarja e SCAN TV, Elisabeta Dosku ka shpjeguar gjendjen e procesit, nëpërmjet shifrave. Sipas saj, në paketën e dytë shihet një entuziazëm më i dobët nga bizneset për të aplikuar:
“Situata nuk është dhe aq mirë sa i përket paketave financiare. Janë dy paketa aktive. Tashmë po ndahen pagat e paketës së dytë, 40 mijë lekë, ndërsa ende nuk ka përfunduar shpërndarja e plotë e pagave të paketës së parë. Në paketën e parë problematikat lidhet me mënyrën e aplikimit dhe ka shumë biznese që nuk e kanë ndjekur në mënyrë të rregulltë procedurën. Në paketën e dytë ndërkohë ka një ritëm të ulët aplikimesh. Nga të dhënat e datës 6 maj janë diku tek 80 mijë punonjës që kanë marrë pagesën dhe duhet të jenë rreth 176 mijë të tillë, ndërsa aplikimet janë në 102 mijë. Drejtoria Tatimeve po ndjek ankesat e ndryshme dhe ka komunikuar se po i trajton rastet.”
Kryetarja e komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Milva Ikonomi ndërkohë është shprehur se qeveria ka vëmendje dhe vullnet për të dërguar në destinacion pagat:
“Ekzekutivi ka pafund vëmendje për t’i zgjidhur këto gjëra. Alokimi I fondeve për 176 mijë biznese është i padiskutueshëm dhe patjetër që do gjendet mënyra për të shkuar në vendin e duhur. Mendoj se periudha 1 mujore është kohë e shkurtër për të përfunduar të gjithë procesin. Teknikët në bazë të algoritmeve nxjerrin zgjidhje me shkresa, rregullore ose vendime të Këshillit të Ministrave, gjë e cila kërkon e saj në përllogaritje. Gjithashtu duhet përmendur se të gjitha sistemet online dhe shërbimet janë një risi në Shqipëri, prandaj kjo kërkon edhe pak kuriozitet nga njerëzit për të zbuluar si funksionojnë këto procese aplikimi dhe për t’I zbatuar ato.”
Ndërkohë, Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë Ines Muçostepa pyetur nga gazetari Enio Civici për deklaratën e kryeministrit Rama se bizneset do gjobiten në rast se nuk aplikojnë, është shprehur se kjo është diçka jo e menduar mirë:
“Nuk mendoj që ka dëshirë për të mos aplikuar. Mendoj se ka problematika në lidhje me kompanitë e mëdha që kanë numër të madh të punësuarish dhe që kaë hapësira të mëdha interpretimi. Deklarimet që duhet të bëhen në afate të caktuara sjellin konfuzione të ndryshme për shkak të ndryshimit të shpeshtë të datave, që janë problematika teknike. Gjithashtu mendoj se ka edhe probleme me sistemin.
Mendimi jonë për gjobitjen është se Drejtoria Tatimeve nëse ka vullnetin e mirë për t’i dërguar pagat tek 176 mijë bizneset, pse jo kjo derdhje të mos bëhet në mënyrë direkte tek kompanitë dhe kështu të mos krijohen komplikacione.”
Ndërkohë eksperti i ekonomisë, Pajtim Melani në mendimin e tij kërkon më shumë veprim nga qeveria për të investuar në ekonominë e re teknologjike dhe për të balancuar kërkesën me ofertën në normalitetin e ri:
“Pandemia duket se ka kaluar të gjtiha krizat që nga Depresioni i Madh dhe të tjerat para saj që mund të ketë parë njerëzimi. Mënyra më e mirë për ta menaxhuar situatën është të analizosh teoritë e sjelljes konsumatore. Unë si ekonomist dua të analizoj sjelljen ndaj të mirave materiale. Paketa e parë dhe e dyta mund të ishin dhe më të shpejta, por ajo që duhet indoktrinaur në treg është përshtatja në një treg të ri, ku teknologjia dhe e-commerce duhet të jenë baza e saj. Nga statistikat që kam parë, të paktën 2.5 milionë njerëz kanë përdorur njëherë të vetme internetin dhe numri i familjeve me internet shkon në 650 mijë. Prandaj duhet të investojmë në ekonominë e re. E dyta duhet të balancojmë kërkesën me ofertën, për t’i përputhur së bashku me një hapje graduale të ekonominës por jo të vonuar.”
G.K/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.