Avancon projekti ‘Poli i Drejtësisë’, sigurohet fondi 122 milionë lekë për pajisjet, mobiljet dhe sistemin elektronik
Në muajin prill të këtij viti, qeveria shqiptare iu rikthye një projekti të dikurshëm për të grupuar institucionet e drejtësisë në një zonë të vetme.
Vendimi përcaktonte fillimin e procedurave për programin e integruar të zhvillimit “Poli i Drejtësisë”, nëpërmjet të cilit synohet zhvillimi i një zone urbane në funksion të krijimit të një blloku të integruar infrastrukture për akomodimin e institucioneve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe të institucione të tjera të interesuara, me qëllim mbështetjen e këtyre institucioneve me infrastrukturën e nevojshme dhe bashkëkohore, në mënyrën më të shpejtë të mundshme.
Blloku pritet të jetë në zonën e Laprakës në Tiranë.
Projekti ka avancuar edhe më tej dhe në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave kamiratuar edhe vendimet për rishpërndarje fondesh me qëllim blerjen e pajisjeve por edhe për sistemin e integruar elektronik të institucioneve të drejtësisë.
Referuar vendimit, në buxhetin e vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, bëhet rishpërndarje fondesh, si më poshtë vijon:
-Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në programin buxhetor “Ekzekutimi i pagesave të ndryshme” i pakësohet fondi prej 65 milionë lekë në shpenzime kapitale;
-Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, në programin buxhetor “E-Qeverisja” i shtohet fondi prej 65 milionë lekë në shpenzime kapitale, për projektin “Për programin e integruar të zhvillimit “Poli i Drejtësisë”, me vlerë të plotë 313 milionë lekë.
Në buxhetin e vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrinë e Drejtësisë, bëhet rishpërndarje fondesh, si më poshtë vijon:
-Ministrisë së Drejtësisë i pakësohet fondi prej 57 milionë lekësh përkatësisht:
-43 milionë lekë pakësohen në programin buxhetor “Sistemi i Burgjeve” në shpenzime kapitale
-14 milionë lekë pakësohen në programin buxhetor “Planifikim, Menaxhim dhe Administrimi” në shpenzime kapitale.
-Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në programin buxhetor “Planifikim, Menaxhim dhe Administrimi” i shtohet fondi prej 57 milionë lekësh në shpenzime kapitale, për projektin “Blerje pajisjesh dhe mobiliesh për institucionet e reja të polit të drejtësisë”, me vlerë të plotë 199 milionë lekë .
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.