Banka lëvizëse e Credins në Lezhë – Zhvillohet takimi i tretë me fermerët, konsulencë dhe Kredi Agro
Banka lëvizëse e Credins kësaj here ishte në Fishtë të Lezhës. Në eventin e zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës, në bashkëpunim me Credins Bank, ishin të pranishëm me dhjetëra fermerë të zonës të cilët u njohën me programin e mbështetjes së tyre që banka ofron për këtë sektor.
Gjatë seminarit të mbajtur ishte i pranishëm dhe Giovanni Belletti, pedagog në Universitetin e Firences, i cili ndau eksperiencën e tij me fermerët shqiptarë dhe përgëzoi nismën e Credins.
“Ishte një takim interesant, shpresoj i dobishëm. Me siguri çështja e aksesit në kreditim për fermerët, veçanërisht për ata të vegjël, është një çështje kyçe. Kështu që të pasurit akses në kreditim për fermerët, pra të pasurit informacion, të pasurit akses në instrumente financiare është me siguri një aspekt shumë i rëndësishëm.
Ndaj mendoj se kjo që po sjell Credins është një gjë shumë interesante. Madje mund të them se në realitet është edhe në itali e tillë, pasi ka zona bujqësore intensive dhe interesante ku ka shërbime por që ka edhe shumë zona të tjera të margjinalizuara, shpeshherë në male ose në kodrina të larta. Edhe në jug të Italisë ku ka probleme të ngjashme me Shqipërinë.
Dhe fakti që kemi një eksperiencë të tillë, një shërbim bankar që u vjen afër fermerëve me siguri është një element interesant” tha pedagogu i Universitetit të Firences, Giovanni Belletti.
Credins ofroi konsulencë mbi mundësitë dhe procesin e kredive të agrobiznesit si dhe zhvilloi diskutim të hapur për fermerët.
Rrugëtimi i Bankës Lëvizëse në Fishtë të Lezhës ishte i treti pas eventit në Roskovec si dhe atij në Korçë. Nisma e ndërmarrë do të vijojë të zhvillohet në të gjithë vendin përgjatë muajve të ardhshëm.
Banka lëvizëse është një iniciativë e Credins Bank që u vjen në ndihmë fermerëve që nuk kanë mundësi që të vizitojnë një nga degët e bankës. Avantazhet që e bëjnë bankën më konkurruese në kredinë agrobiznes janë strukturat e dedikuara që banka ka për produktet agro, fleksibiliteti dhe asistenca në sigurimin e kapitalit, procesimi dhe aprovimi i shpejtë i analizave të kredisë, normat e interesit konkurruese si dhe kushte lehtësuese për fituesit e garantit IPARD nga AZHBR dhe projekti “100 fshatrat”.
Kredia agrobiznes që Credins ofron mundëson mbështetje financiare për produkte dhe investime të ndryshme në zhvillimin e agroturizmit, financime për investime të reja në ndërtimin e ambienteve, investime në makineri dhe pajisje të reja, këshilla teknike dhe orientim për të bërë investimet e duhura si dhe kushte lehtësuese për aktivitetet e agroturizmit.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.