Basha takim me ambasadoren Kim dhe presidentin e PE, Sassoli: “Prioritet zgjidhja politike dhe integrimi”
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim në selinë blu me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në vendin tonë, Yuri Kim. Pas takimit, në një komunikatë për mediat, Basha tha se me ambasadoren amerikane u diskutua për daljen e vendit nga kriza.
“Ndava me ambasadoren pikëpamjet për zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe e garantova për angazhimin e plotë dhe serioz të PD në zbatimin e reformave dhe zgjidhjen e krizës politike. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë në krah të popullit shqiptar ashtu siç kanë bërë gjatë gjithë historisë së marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve tona.” – u shpreh Basha.
Nga ana tjetër, ambasada amerikane njoftoi në rrjetet sociale se në fokus të takimit ishte finalizimi i reformës zgjedhore. “Gjatë takimit të saj sot me Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, Ambasadorja Kim nxiti të gjitha palët të qëndrojnë në tryezë dhe të përfundojnë një kod zgjedhor. Ambasadorja gjithashtu konfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për institucionet dhe praktikat demokratike në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.
Ndërkohë, më herët gjatë ditës kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua edhe me presidentin e Parlamentit Europian, Davide Sassoli, të cilit i shprehu angazhimin e opozitës për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.