Bashkëpunimi Shqipëri – Mal i Zi – Meta: Infrastruktura e përbashkët ka nevojë për përmirësim
Infrastruktura e përbashkët mes Shqipërisë dhe Malit të Zi ka nevojë për përmirësim. Kështu është shprehur presidenti Ilir Meta gjatë një konference të përbashkët me presidentin e Malit të Zi. Më tej Meta ka theksuar se proceset e bashkëpunimit mes dy vendeve do të vijojë duke qenë, se marrëdhëniet që ka Shqipëria me Malin e Zi janë shembull bashkëpunimi në rajon.
Meta është shprehur se vendi ynë ka nevojë për bashkëpunim edhe me Kroacinë në drejtim të disa projekteve madhore, siç është autostrada Adriatiko-Joniane apo i gazsjellësit Jonian-Adriatik.
Presidenti Filip Vujanoviç dhe homologu i tij shqiptar Ilir Meta kanë mohuar zërat për çështje të hapura mes dy vendeve, duke iu referuar kështu kërkesës së diplomatit malazez ndaj Ministrit Bushati për të diskutuar kufirin detar. Vujanoviç tha se këto janë çështje teknike të marrëveshjes pasi marrëdhëniet mes dy vendeve në të gjitha pozicionet kufitare janë të qarta. Ndërsa referuar aktualitetit në Shqipëri për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm Meta është shprehur se kjo është përgjegjësi ekskluzive e parlamentit.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.