Bashkia, 13 projekte shtesë për rikonstruksione rrugësh, shkollash – Parku Rinia do të rehabilitohet
Parku Rinia dhe rruga e Durrësit janë vetëm 2 nga 13 projektet për të cilat Bashkia e Tiranës ka hapur procedurat e studimit dhe projektimit. Kjo procedurë pritet të kushtojë në total rreth 38 milionë lekë, ku lotet më të kushtueshme janë ato për “rehabilitimin dhe kanalizimin e rrugës së Durrësit”, si dhe për “Rikualifikimin urban të bllokut që kufizohet nga blv. “Bajram Curri”, blv. ‘Petro N.Luarasi”- rruga Taulantia“ dhe rruga “Ali Demi”.
Për bllokun prej 13 hektarësh në njësinë bashkiake numër 2, punimet do të përshijnë rrjetin rrugor, të ujësjellësit, ndriçimin dhe gjelbërimin. Po ashtu do të ndërhyhet në mobilimin urban me kënde lojërash, terrene sportive dhe hapësira kreative.
Rehabilitimi i parkut “Rinia” do të synojë rritjen e kapacitetit të përdorimit, duke shtuar tavolina për shah dhe domino, si dhe duke mundësuar akesin për aktivitete të tjera rekreative. Pritet po ashtu që të modifikohet zona përreth Memorialit të Pavarësisë për ta nxjerrë në pah.
Në rrugën “Fabrika e Qelqit” do të realizohet studimi për ndërtimin e një tregu të fruta-perimeve. Rreth 230 tregtarë ushtrojnë aktivitetin e tyre në tregun e përzier, ku pjesa më e madhe janë kioska industriale. Vlera paraprake e ndërtimin të tregut me dy kate arrin në 80 milionë lekë.
Projektet e tjera përfshijnë rikonstruksionin e rrugës “Grigor Cilka”, rrugës “Agallarëve”, rrugës “Xhorxh W Bush”, ndërtimin e rrugës Ura Domje-Lagjia Tagan, rikonstruksionin e rrugëve “Bexhet Nelku” dhe “Ahmet Qorraliu”, ndërtimin e rrugës “Enver Preza” dhe degëzimeve të saj, ndërtimin e rrugës “Jusuf Gërvalla”, si dhe ndërtimin e palestrës në gjimnazin “Ibrahim Hasmema” në Mullet dhe ndërtimin e shkollës 9-vjeçare Dritas në fshatin me të njëjtin emër, duke zëvendësuar shkollën e përshtatur nga një ish Repart Ushtarak të viteve ’70, e cila rrezikon të shembet soleta.
Procedura e Bashkisë së Tiranës për hartimin e këtyre 13 projekteve vjen vetëm dy javë pas çeljes së një tjetër tenderi për projektimin e 12 veprave të tjera në infrastrukturë, duke e çuar numrin total të projekteve në 25.
Angelo Haruni/SCAN
Ja 12 projektet e reja të Bashkisë së Tiranës për shkolla, rrugë dhe rehabilitime të blloqeve urbane
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.