Bashkia ndërhyn në Bllokun pranë rrugës së Elbasanit – 118 mln lekë investim, planifikohet prishja e 11 ndërtimeve

Bashkia e Tiranës do të ndërhyjë për rikualifikim urban të Bllokut që kufizohet nga rruga e Elbasanit -Stavri Vinjau- Pjetër Budi dhe Ali Visha. Ndërhyrja do të prekë kryesisht probleme si mungesa e e trotuarëve, ndriçimit, gjelbërimit dhe vendgrumbullimeve të mbeturinave, krahas riasfaltimit të rrugëve.
Fondi limit i caktuar për punimet është 118 milionë lekë, ndërsa kohëzgjatja e tyre pritet të jeta 10 muaj pas nënshkrimit të kontratës me kompaninë që do të shpallet fituese e tenderit.
Projekti përfshin edhe prishjen e 11 ndërtimeve në zonat ku kërkohet të zgjerohet rruga apo të shtohet gjelbërimi.
Përveç skemës së rrjetit rrugor në projekt janë krijuar sheshe të vogla brenda bllokut të banimit, ku mund të akomodohen funksione të tilla si ambiente çlodhëse për moshën e tretë dhe banorët e bllokut, sipërfaqe të gjelbra, kënde të vogla lojërash për fëmijë, etj.
Aktualisht, sipërfaqja e gjelbëruar në bllok është shumë e amortizuar dhe gjelbërimi i ulët është zhdukur pothuajse fare.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.