Bashkim Dedja rizgjidhet me votë unanime Kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Profili gjyqtarit që mban prej disa vitesh postin e kryetarit
Bashkim Dedja rizgjidhet Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Lajmi është dhënë përmes një njoftimi zyrtar në faqen e Gjykatës Kushtetuese, ku thuhet se në përfundim të procesit të votimit për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese votuan unanimisht zgjedhjen e tij.
“Sot në datën 03.10.2017, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, bazuar në nenin 7/d, pika 1, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, në përfundim të procesit të votimit për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese votuan unanimisht zgjedhjen e z. Bashkim Dedja Kryetar të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”
Profili për kreun e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja
Lindur më 13.03.1970 në Dibër. Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1993. Nga viti 1993-1996 ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe më pas deri në vitin1998 si gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë. Prej vitit 1998-2010 ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit Durrës. Aktualisht, është pedagog i jashtëm pranë Fakultetit të Drejtësisë së UT në të drejtën penale dhe në Shkollën e Magjistraturës në lëndën “Shkrimi dhe arsyetimi ligjor” si dhe është ekspert i trajnimit vazhdues. Ka bashkëpunuar në disa grupe pune për hartimin e Kodit të Punës si dhe përmirësimin kodeve të Procedurës civile dhe penale. Prej dhjetorit 2007 e në vazhdim është anëtar i Komisionit të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë. Në muajin maj të vitit 2010 është emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe që nga muaji shtator i këtij viti është Kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Në muajin tetor të vitit 2013 riemërohet Kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Zgjidhet me votë unanime kreu i GJK më 3 Tetor 2017
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.