Bashkitë ulën shpenzimet – Mbi 80% e buxhetit shkon për paga dhe blerje. ‘Në hije’ investimet publike!
61 bashkitë në vend kanë ulur shpenzimet me me rreth 6.2% në terma vjetorë përgjatë periudhes Janar-Shtator 2021. Sipas raportit të publikuar nga COplan, shpenzimet me fonde të veta shënuan një nivel prej rreth 36.2 miliardë lekë, me rënie 11.7% në terma vjetorë, ndërsa shpenzimet me fondet e kushtëzuara shënuan një nivel prej rreth 26 miliardë lekë , me rritje 2.7% krahasuar me një vit më parë. Sipas natyrës ekonomike, shpenzimet me fonde të veta u përdorën për mbulimin e shpenzimeve për personelin (paga dhe sigurime) në masën 49%; Shpenzime operative dhe të tjera në masën 34.1%; Shpenzime kapitale (investime) në masën 19.6% ndaj totalit.
Sa i takon investimeve, ato rezultojnë në rënie vjetore me rreth 10% krahasuar me nivelin e tyre në të njëjtën periudhë një vit më parë. Ndërsa nga fondet e kushtëzuara, të marra në formën e transfertës nga qeverisja qendrore, 2.7% u përdorën për personelin, 78.4% Shpenzime operative dhe të tjera, ndërsa shpenzime kapitale (investime) rezultuan në masën 18.9% ndaj totalit. Megjithëse në një nivel të ulët, krahasimisht me vitin 2020, shpenzimet kapitale me fondet e kushtëuzra rezultojnë në rritje vjetore me rreth 35.4%.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.