BE solidarizohet me Shqipërinë – E përfshin në përfundimet e samitit të Brukselit, asnjë rresht për zgjerimin
Këshilli Europian, i mbledhur ditën e Enjte më 12 Dhjetor ka dalë me një listë me 20 përfundime. Pika e 20-të i takon ekskluzivisht Shqipërisë dhe i referohet ndihmës pas tërmetit të rëndë që goditi vendin tonë. “Bashkimi Europian qëndron në solidaritet me Shqipërinë pas tërmetit të fundit.
Këshilli Europian përshëndet njoftimin e Komisionit Europian për të mundësuar asistencë humanitare si dhe për të organizuar një konferencë donatorësh”-thuhet në përfundimet e takimit të Këshillit Europian ditën e enjte. Për këtë konferencë donatorësh ka folur edhe presidenti francez Emmanuel Macron, i cili ka sinjalizuar me shumë gjasa muajin Janar si datën e mundshme të zhvillimit të kësaj konference.
Ndër këto 20 pika ndërkohë, asnjëra nuk i referohet zgjerimit të Bashkimit Europian, një çështje që duket se do të presë deri vitin e ardhshëm. Por, gjithsesi, çështja e zgjerimit, e sidomos hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka qenë një ndër pikat e cekura mes liderëve gjatë samitit në Bruksel, si në rastin e takimit dy palësh mes Emmanuel Macron dhe kryeministrit kroat, Andrej Plenkovic. Ndryshimet klimatike kanë qenë tema kryesore e takimit dhe më shumë se gjysma e përfundimeve i referohen pikërisht këtij fenomeni.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.