BERZH “shkurorëzon” Shqipërinë – Nuk është më ekonomia me rritjen më të shpejtë në rajon, zbret e 4-ta
Rritja e projeksioneve për ekonominë shqiptare me 0.2% këtë vit nga ana e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim nuk është aspak e mjaftueshme, pasi për vende të tjera të rajonit, rritja është bindshëm më e madhe, madje deri në 1.3% mbi projeksionet e mëparshme në një rast. Kështu, raporti i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për ekonomitë e vendeve që mbulon, sjell edhe një `shkurorëzim` të ekonomisë shqiptare.
Në raportin e muajit Maj, Shqipëria rezultonte të ishte ekonomia me rritjen më të shpejtë në rajon për këtë vit. Por, rezultatet e tremujorit të dytë të vitit kanë bërë që projeksionet të rishikohen, dhe që Shqipëria ta humbasë këtë kurorë, duke zbritur madje në vendin e katërt. Vendin e parë e zë Serbia me Malin e zi, me nga 4.2% rritje ekonomike të projektuar.
Ndërkohë që në Maj BERZH thoshte se, Serbia do të rritej me vetëm 2.9%, ndërsa Mali i zi me 3.3%. Për Shqipërinë projeksionet e Majit flisnin për 3.8% rritje ekonomike. Edhe Kosova është rishikuar lehtë në rritje, me 0.3%, nga 3.7 në 4% rritje ekonomike. Për Maqedoninë dhe Bosnje Hercegovinën ndërkohë projeksionet janë rishikuar në rënie.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.