Bizneset përballë gjobave abuzive – Gati vendimi i ri, unifikim të masave administrative
Bizneset shpesh herë kanë qenë të atakuar nga administrata tatimore e gjoba të ndryshme, në shumë raste të vendosura në mënyrë abuzive, për shkak edhe të hapësirës që lejon legjislacioni në fuqi. Ligji aktual për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë, parashikon masa administrative të ndryshme, në bazë të shkeljeve të subjekteve, por ka edhe raste kur kjo masë nuk është e përcaktuar, dhe lihet në varësi të mënyrës se si e logjikon agjenti tatimor, çka ka bërë që sipërmarrja të jetë e pambrojtur dhe të mos gjejë zgjidhje as në hallkat e tjera.
Po të shikojmë legjislacionin në fjalë, në udhëzimin e fundit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, thuhet se: Ne rastet kur gjoba nuk është fikse por me diapazon (me kufi minimal dhe maksimal), madhësia e gjobës brenda diapazonit te përcaktuar nga ligji vendoset duke përdorur gjykimin më të mirë bazuar në: Rëndësinë e shkeljes; Arsyet ; Historia e rregullshmërisë në plotësimin e detyrimeve tatimore nga tatimpaguesit; Rrethanat konkrete të tatimpaguesit ne kohen e shkeljes; Madhësia e biznesit dhe vendndodhja; A është e përsëritur shkelja dhe a ka qene i informuar tatimpaguesi ; Pasojat lidhur me tatimin e papaguar.
Një pikë tjetër e udhëzimit, thotë se gjobat e vendosura për shkelje administrative, që lidhen me një detyrim tatimor, nuk mund të kalojnë 100 për qind të detyrimit tatimor, por nuk e përcakton saktësisht se sa duhet të jetë ajo. Këto problematika i ka pranuar edhe Ministrja e Financave, Anila Denaj, e cila theksoi se në gjysmën e dytë të muajit do të ketë një vendim që do të unifikojë masat administrative me të cilat do të përballen bizneset.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.