Bizneset që ushtrojnë veprimtari në fushën e strukturave akomoduese, Tatimet: Nuk duhet të ndajnë aktivitetin
Të gjithë bizneset që ushtrojnë veprimtari në fushën e strukturave akomoduese nuk duhet të ndahen apo të regjistrohen ne QKB me NIPT më vete , duke faturuar TVSH-në sipas shkallës tatimore që u takon. Nëpërmjet një njoftimi Drejtoria e përgjithshme e Tatimeve sqaron konceptin e strukturës akomoduese.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në vijim të komunikimeve të mëparshme, dëshiron të sjellë në vëmendje se në zbatim të paragrafit 2, të nenit 11/1, të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.953, datë 29.12.2014 “Për Dispozitat Zbatuese të Ligjit Nr.92/2014, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” i ndryshuar, përcaktohet se:
“Për qëllime të veprimtarisë në fushën e strukturave akomoduese, me qëllim aplikimin e shkallës së reduktuar të TVSH-së, personat e tatueshëm, të cilët, përveç veprimtarisë në fushën e strukturave akomoduese, kryejnë edhe veprimtari të tjera, regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit, si persona të tatueshëm më vete duke riorganizuar ose jo veprimtarinë e tyre ekonomike, siç përcaktohet në ligjin nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi”.
Nisur nga kjo, Administrata Tatimore, në përmbushje të misionit të saj, si dhe mbështetur në parimet e administrimit tatimor të përcaktuara në ligjin nr.9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për një zbatim sa më efektiv të legjislacionit, nënvizon këto çështje që duhet të mbahen në konsideratë:
Në funksion të modaliteteve dhe kushteve të regjistrimit të personave të tatueshëm, që ushtrojnë veprimtari në fushën e strukturave akomoduese, bazuar në pikën 1 të nenit 11/1 të VKM nr.652, datë 10.11.2007 “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 92/2014, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, e cila përcakton që strukturat akomoduese ushtrojnë veprimtarinë sipas legjislacionit në fushën e turizmit, duhet t’i referohemi këtij të fundit për të sqaruar së pari se çfarë është një strukturë akomoduese.
Kështu, sipas neni 4 pika 33 e ligjit për turizmin, sqarohet koncepti i strukturës akomoduese, me të cilën kuptohet: “Sruktura që vë në dispozicion të turistëve, vendas apo të huaj, individë ose të organizuar në grupe, për një periudhë kohe të pacaktuar, por jo më shumë se 1 vit, shërbimet e akomodimit (fjetje, ushqim, pije dhe shërbime të tjera), në përputhje me standardet e përcaktuara sipas klasifikimit dhe kategorizimit të saj”.
Pra, i rëndësishëm është fakti që njësitë e shërbimit të tipit: restorante, bare, salla konferencash, sallë fitnesi, pishina, park lojrash, apo shezlong në rastin e resorteve etj, të jenë në shërbim të strukturave akomoduese dhe brenda njësive akomoduese apo kompleksit si një e tërë, duke faturuar TVSH-në sipas shkallës tatimore që u takon dhe duke zbatuar kushtet e përcaktuara dhe parashikimet në Ligjin Nr.9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” dhe udhëzimin përkatës, në lidhje me procesin e regjistrimin.
Përsa i përket përcaktimit ligjor të parashikuar në paragrafin 2 të nenit 11/1 të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.953, datë 29.12.2014 “Për Dispozitat Zbatuese të Ligjit Nr.92/2014, Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” i ndryshuar, se, për qëllime të veprimtarisë në fushën e strukturave akomoduese, me qëllim aplikimin e shkallës së reduktuar të TVSH-së, personat e tatueshëm, të cilët, përveç veprimtarisë në fushën e strukturave akomoduese, kryejnë edhe veprimtari të tjera, regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit si persona të tatueshëm më vete, duke riorganizuar ose jo veprimtarinë e tyre ekonomike, siç përcaktohet në ligjin nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”.
Rastet kur një person i tatueshëm mund të regjistrohet më vete.
Tatimet sqarojnë se kjo bëhet vetëm kur personi përveç veprimtarisë në fushën e akomodimit, kryhen edhe veprimtari të tjera.
“Me veprimtari të tjera, kuptohet kur subjekti, përveç veprimtarisë në fushën e akomodimit, ushtron edhe aktivitete të tjera si psh ndërtim, tregti, energjitikë etj. Në një rast të tillë ky tatimpagues duhet të ndajë më vete veprimtarinë ekonomike në fushën e akomodimit dhe hotelerisë me aktivitetin tjetër që ushtrohet jashtë veprimtarisë akomoduese apo që është jashtë tërësisë së shërbimeve që i shërbejnë njësisë akomoduese sipas konceptit të fushës së turizmit, si më lart të shpjeguar. Kjo, bëhet në mënyrë që të identifikohet qartë aktiviteti që ushtrohet në fushën e strukturave akomoduese dhe që përfiton nga shkalla tatimore 6 % TVSH me aktivitetin tjetër që ushtrohet me shkallë standarde të TVSH-së.”
Sipas ligjit Nr.9901, datë 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqërite tregtare”, i ndryshuar, subjektet regjistrohen si:
– Tregtarë, të cilët janë persona fizik, sipas kuptimit të Kodit Civil dhe që ushtrojnë veprimtari ekonomike të pavarur
– Në formën e një shoqërie tregtare (kolektive, komandite, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar dhe shoqëri aksionere)
Me regjistrimin në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në një nga format e mësipërme, subjektet pajisen me numër identifikimi unik, të gjeneruar elektronikisht, i cili shërben si numër identifikimi tatimor i tyre për tatimet kombëtare dhe vendore.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.