Biznesi vuan për drita e ujë/ Anketa e BB: Thuajse 60% e ndërmarrjeve sinjalizojnë ndërprerje
Energjia elektrike dhe furnizimi me ujë janë ende probleme konkrete për biznesin shqiptar, aq sa ta pengojë seriozisht funksionimin e tij. Madje, problematika është ndjeshëm më e theksuar për bizneset e mëdha; kategori në të cilën përfshihen edhe bizneset prodhuese, fabrikat, pra industria.
Të dhënat e anketës së fundit të sipërmarrjeve nga Banka Botërore për vendin tonë, tregojnë se, 58.7% e ndërmarrjeve shqiptare raportojnë probleme sa i përket ndërprjes së energjisë elektrike. Për bizneset e mëdha kjo përqindje ngjitet në 64%.
Norma e bizneseve që vuajne këtë problematikë është thuajse dy herë më e lartë se në vendet e Europës dhe Azisë qëndrore, ku fiksohet në rreth 35%. Për ndërprerjen e furnizimit me ujë, problemi duket më pak i pranishëm se në rastin e energjisë elektrike, por sërish është si pengesë. Janë 10.8% e ndërmarrjeve që e vuajnë problemtikën, nga 7.3% në vendet e Europës dhe Azisë qendrore. Për biznesin e madh ndërkohë, norma ngjitet në 22%, pra në thuajse ¼-tën e bizneseve.
Ndërprejet e ujit dhe të energjisë elektrike shkaktojnë probleme të mëdha për sipërmarrjet, e sidomos ato industriale, pa llogaritur këtu kostot shtesë të biznesit për t`i bërë ballë situatave të tilla. Energjia elektrike është renditur e 7-ta ndër 10 pengesat kryesore të të bërit biznes në vendin tonë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.