Bonot e Thesarit – Fillimi i vitit 2018 me “normalizim” interesash
Tregu primar i bonove të thesarit të qeverisë shqiptare po shfaq një tendencë stabilizimi gjatë fillimit të këtij viti. Në ankandin e zhvilluar të martën, bonot 12-mujore u emetuan me një normë mesatare të ponderuar prej 2.55%.
Interesi shfaqi sërish një rënie të lehtë, ashtu siç kishte ndodhur edhe në ankandet e mëparshme. Tregu financiar këtë fillim viti duket mjaft likuid dhe kërkesat në ankande arritën vlerën e mbi 13 miliardë lekëve, nga 9.2 miliardë lekë që ishte vlera e bonove të shpallura për shitje nga Ministria e Financave.
Rritja e kërkesës së tregut shpjegon frenimin e rritjes së interesave. Gjatë gjysmës së dytë të vitit 2017, ankandet e bonove dhe obligacioneve ishin rritur me ritme të ngadalta, por të qëndrueshme.
Për momentin, frenimi i rritjes së interesave të bonove ndihmon në ruajtjen e interesave të ulëta në tregjet financiare. Sistemi bankar, që është në gjendje mjaft likuide, nuk ka shumë trysni për të rritur interesat e depozitave dhe të kredive.
Kjo tendencë pasqyron sinjalet e dhëna në treg nga Banka e Shqipërisë, që ka paralajmëruar vazhdimin e politikës monetare lehtësuese edhe për vitin 2018. Sipas Bankës Qendrore, hendeku negativ i prodhimit në ekonomi ende nuk është mbyllur, ndërsa inflacioni ende nuk i është afruar objektivit prej 3%.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.