Burg për keqtrajtimin e kafshëve? – Nisma me 37 mijë firma në Kuvend, ndryshime në Kodin Penal
Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare ka nisur të enjten shqyrtimin e nismës ligjore të nënshkruar nga 37 mijë qytetarë për vendosjen e gjobave apo dënimin me burg për keqtrajtimin e kafshëve.
Nisma është çuar në Kuvend nga Organizata për Mbrojtjen e Kafshëve, e cila edhe ka mbledhur firmat. Drejtuesit e saj kërkuan që 11 Krerëve të Kodit Penal të Shqipërisë, t’i shtohet edhe një kre i ri, ku të përcaktohen gjobat dhe masat e dënimit me burg për keqtrajtimin apo vrasjen e kafshëve.
Kreu i Komisionit të Sigurisë Ermonela Felaj tha se do të ishte e përshtatshme që kjo natyrë veprash penale do ishte mirë të përfshihej në krimet kundër mjedisit, ndërkohë që kërkoi nga shoqata bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Mjedisit për hartimin e një projektligji të përshtatshëm për realitetin shqiptar.
Deputetët e Komisionit të Sigurisë kërkuan të dhëna të sakta për problematikat e keqtrajtimit të kafshëve në territorin shqiptar, dhe kërkuan që projektligji të shoqërohej me relacion nga ana e organizatës.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.