Bursa tërheq vëmendjen e Reuters, Gjergji: “ALSE” në punë brenda vitit, ka interes nga biznesi
Agjencia e lajmeve, Reuters, i ka bërë jehonë bursës së parë private shqiptare. “Bursa e parë private shqiptare duhet të fillojë punën brenda këtij viti, pasi të ketë marrë “Ok” e bankës qendrore”, deklaron në intervistën për Reuters kreu ekzekutiv i Albanian Stock Exchange, Artan Gjergji.
Ai sqaroi për prestigjiozen se, qëllimi i kësaj burse është që të krijojë një treg kapitalesh në Shqipëri, vend që po has vështirësi me modernizimin çerek shekulli pas daljes nga izolimi i diktaturës.
Reuters shkruan se, pas pezullimit të Tirana Stock Exchange, ALSE u krijua nga një grup profesionistësh të tregut financiar në Shqipëri, të cilët morën mbështetjen e tre institucioneve financiare shqiptare, me në krye Credins.
“Ne duhet të jemi ligjërisht dhe teknikisht gati brenda Nëntorit dhe duhet të bëhemi operativ, me shpresë, brenda këtij viti, duke filluar të ftojmë bankat dhe brokerat që të tregtojnë, si fillim vetëm bono thesari”, deklaron Gjergji për Reuters.
“Duke filluar prej muajit Mars, pra përpara verës së ardhshme, ne do ti mirëpresim ata që të fillojnë të tregtojnë të gjitha llojet e tjera të aseteve në tregun e kapitaleve, përfshirë bonot korporative të kompanive shqiptare, të cilat do të kenë potencialin të listohen”, shtoi ai.
Sa i përket dështimeve të mëparshme të bursave në vendin tonë, Gjergji fajësoi mos tregtimin e aksioneve të kompanive që zotëroheshin nga shteti, sidomos në fillim të viteve 90-të.
Sipas tij, aktualisht, është koha më e mirë për të filluar me bursën, pasi paraja po kërkon alternativa të reja për tu investuar, duke qenë se normat e interesit për depozitat janë mjaft të ulta, bankat kanë likuiditet të tepërt dhe bizneset kanë nevojë për financime të freskëta në një ekonomi që rritet.
“Të gjithë elementët ishin aty, vetëm bursa mungonte. Nuk do të jetë e lehtë, por ne kemi bërë pjesën më të madhe të punës, dhe bizneset kanë filluar të shfaqin interes për bursën”, deklaron Artan Gjergji për Reuters.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.