Buxheti 2022, lë pas pandeminë dhe tërmetin – Drafti/ Rritja ekonomike 4.1 %, ulet papunësia, më shumë investime
Ekonomia shqiptare pritet të rikthehet në pozitat e parakrizës gjatë vitit të ardhshëm, duke lënë pas tërmetin dhe pandeminë Covid19, por me nota më optimiste sa i takon nivelit të papunësisë dhe investimeve publike. Sipas draftbuxhetit, rritja ekonomike për vitin 2022 parashikohet në nivelin 4.1 për qind, ashtu si në vitin 2018, e shoqëruar me një ulje të normës së papunësisë nga 11.4% në 2021 në nivelin 10.3% të parashikuar për vitin e ardhshëm.
Deficiti buxhetor planifikohet në planifikohet të jetë në nivelin 5.4% të PBB-së, ndërsa borxhi publik në 78.9 për qind. Në projektbuxhetin 2022 të hartuar nga qeveria thuhet se rritja ekonomike dhe punësimi do të mbështeten edhe nga sigurimi i një niveli të lartë të investimeve publike prej 6.4% e PBB-së. Për vitin 2022, të ardhurat totale të buxhetit të shtetit parashikohen të arrijnë 536.8 miliard lekë me rritje prej 7.8 për qind krahasuar me të pritshmin 2021, shpenzimet publike në 637.7 miliardë lekë, dhe deficciti në 100.9 miliardë lekë.
Rritja e të ardhurave bazohet në përmirësimin e administrimit fiskal dhe minimizimin e informalitetit ne ekonomi, duke mbështetur në këtë mënyrë rimëkëmbjen ekonomike, si dhe duke nxitur prodhimin dhe eksportet. Ndërsa shpenzimet buxhetore parashikohet të mbështesin një nivel të lartë investimesh publike duke u përqendruar në procesin e rindërtimit si dhe financimin e projekteve të rëndësishme strategjike. Shpenzimet e planifikuara synojnë finalizimin e projekteve të rrugëve nacionale, mbështetjen e sektorit të ujit, shëndetësisë, arsimit dhe sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.