Buxheti për njësinë 11 – Veliaj: Kjo zonë, një nga përfitueset më të mëdha
Njësia Administrative 11 në Tiranë do të jetë një nga përfitueset më të mëdha nga projektbuxheti i vitit 2018”. Deklarata është bërë nga kreybashkiaku, Erion Veliaj, i cili inspektoi nisjen e punimeve për rindërtimin e rrugës “Besnik Hidri”, në afërsi të Laknasit.
“Kemi filluar një seri konsultimesh në komunitet. Mezi pres që me buxhetin e ri të kemi sërish një buxhet më të lartë për njësinë 11, për Laprakën, për Institutin, për Bregun e Lumit dhe besoj që nëse do vazhdojmë me këtë efiçencë, siç e ftilluam Tiranën në qendër për dy vjet, për dy vjet do ftillojmë edhe Tiranën periferike”.
Krahas ndërtimit të rrjetit të kanalizimeve që do të përballojë shtimin e banorëve edhe për vitet e ardhshme, në të dy anët e Rr. “Besnik Hidri”, projekti parashikon zëvendësimin e mureve aktualë rrethues të banesave me mure dhe kangjella dekorative.
“Më vjen mirë që në këtë komunitet kemi pasur bashkëpunim, pra njerëzit janë gati ta largojnë një metër avllinë që të lirojnë një trotuar për fëmijët e tyre. Të parët që përfitojnë janë ata vetë, shtëpia u del në dritë, ka më shumë vlerë, fëmijët ecin të sigurt. Po të vazhdojmë me këtë mentalitet, me kulturë dhe infrastrukturë, do e kemi Tiranën që duam”.
Ndërtimi i Rrugës Besnik Hidri”, parashikon zgjerimin e saj dhe ndërtimin e trotuareve, punime nëntokësore, ndriçim dhe vendosjen e sinjalistikës, duke rritur parametrat e sigurisë për qytetarët e këtij komuniteti.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.