Çfarë do të votojë parlamenti? Pritet të “kalojnë” akti normativ i buxhetit, kodi rrugor dhe statusi i gjyqtarit
Në seancën plenare të ditës së enjte pritet që parlamenti të votojë aktin normativ të buxhetit 2018. Pasi të kryhen diskutimet përkatëse dhe të shprehet komisioni përgjegjës për Ekonominë dhe Financat, do të kryhet edhe procesi i votimit.
Me aktin normativ pritet që të sigurohet një shpërblimi për pensionistët dhe familjet në nevojë në fund të vitit. Ndërkohë që synohet që të rritet efiçenca e përdorimit të burimeve publike për rialokimet drejt projekteve të investimeve me progres të mirë deri tani. Si dhe të garantohet rritje e sigurisë në realizimin e treguesve të buxhetit.
Ndërkohë që parlamenti do të votojë edhe një sërë projektligjesh të mbartura si ai “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, si dhe projektligji i “Kodit Rrugor ”, të ndryshuar.
Për shkak të moskonstituimit të institucioneve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, Shkolla e Magjistraturës aktualisht ndodhet në pamundësinë e organizimit të provimit të pranimit për kandidatët për magjistratë. Kështu ndryshimet e parashikuara i japin mundësinë Shkollës së Magjistraturës të organizojë jo më vonë se muaji tetor, konkursin për pranimin e 25 kandidatëve për magjistratë për vitin akademik 2018-2019, dhe të dyfishit të këtij numri për vitin akademik 2019-2020. Ndarja e profilit si gjyqtar dhe prokuror për kandidatët fitues për çdo vit akademik do të jetë përkatësisht 3/5 gjyqtarë dhe 2/5 prokurorë, dhe do të përcaktohen nga Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistratures.
Ndërsa ndryshimet që kërkohen të bëhen sipas projektligjit për Kodin Rrugor, kanë të bëjnë me ndryshimet e masës administrative të vendosjes së gjobave kryesisht për mbrojtjen e infrastrukturës rrugore nga dëmtimet dhe vjedhjet. Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet edhe propozimeve të bëra nga autoshkollat për disiplinimin e aktivitetit në trajnimin e kursantëve. Si dhe ndryshime do të pësojë edhe neni 18 i Kodit Rrugor që ka të bëjë me sistemin e pikëve të revokimit të lejedrejtimit.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.