Çmimet e prodhimit rriten për herë të parë pas dy vitesh

Indeksi i çmimeve të prodhimit rritet për herë të parë pas dy vitesh. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, ndryshimi vjetor i indeksit në tremujorin e fundit 2016 rezultoi 0.9%, duke u kthyer në vlera pozitive pas tetë tremujorësh në rënie.
Kthimi në vlera pozitive i çmimeve të prodhimit lidhet sidomos me rritjen e çmimeve të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare, por, pjesërisht edhe me përmirësimin gradual të kërkesës së brendshme. Indeksi i çmimeve të prodhimit mat çmimet me të cilin ato hidhen në treg nga prodhuesit dhe ecuria e tyre është një tregues i rëndësishëm i shëndetit të bizneseve.
Një ulje e çmimeve të prodhimit nënkupton më pak stimuj të ndërmarrjeve për të rritur prodhimin, punësimin dhe pagat. Çmimet e prodhimit kanë edhe një vlerë orientuese për prirjet e inflacionit në të ardhmen e afërt. Një rritje e çmimeve të prodhimit zakonisht përcillet në rritje të çmimeve të konsumit.
Sipas INSTAT, rritja e çmimeve të prodhimit preku si ato të destinuara për eksport, me 0.6%, ashtu edhe ato të shitura në tregun vendas, me 1.1%. Një rol përcaktues në ecurinë e çmimeve të prodhimit vazhdon të ketë industria minerare dhe në veçanti ajo e naftës. Sipas INSTAT, çmimet e shitjes së naftës bruto u rritën 8.3% me bazë vjetore, duke qenë komponenti më përcaktues në rritjen e indeksit agregat të çmimeve të prodhimit.
Ndërkohë, në pjesën tjetër, ecuria e çmime të prodhimit ngelet e brishtë. Çmimet në industrinë përpunuese rezultuan në rënie me 0.1% krahasuar me një vit më parë. Ndonëse ende të vlera negative, përmasa e rënies është në ngushtim të ndjeshëm, madje, çmimet e produkteve industriale të destinuara për tregun vendas kanë rezultuar në rritje, me 0.5%.
Ersuin Shehu/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.