COVID-19 bllokoi investimet vendore – U realizuan në masën 61 për qind më pak, u rritën shpenzimet e personelit
Pandemia e COVID-19 ka dhënë efekte të drejtpërdrejta në ndaljen e investimeve të pushtetit vendor, realizimi i të cilave lidhet direkt me zhvillim ekonomik dhe mirëqënien e qytetarëve. Referuar raportit të Ministrisë së Financave, për periudhën Janar-Maj 2020, si pasojë e masave të marra për frenimin e përhapjes së infeksionit COVID-19, në krahasim me një vit më parë shpenzimet për investime janë ulur me rreth 4.7 miliardë lekë ose 61% më pak, për shkak të ndalimit të shumë punëve publike në formën e investimeve për të cilat kanë marrë anagazhim njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Nga ana tjetër, pandemia ka dhënë efekt në rritjen e shpenzimeve të personelit, të cilat përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve totale të njësive të veqeverisjes vendore. Për 5 mujorin e vitit 2020 këto shpenzime janë realizuar në masën 9.2 miliard lekë ose rreth 307 milion lekë më shumë se e njëjta periudhë e një vitit më parë. Rritja e këtyre shpenzimeve për vitin 2020, argumentohet me faktin se përpos shtimit të personelit që ofron këto shërbime, në këtë periudhë ka ardhur si rezultat i nevojës për shërbime urgjente dhe të drejtpërdrejta tek familjet në nevojë nga ana e njësive të vetëqeveriejses vendore.
Sa i takon shpenzimeve totale, buxheti vendor për 5 mujorin e parë të vitit 2020, nga të dhënat faktike të thesarit rezulton të jetë realizuar në masën 17.2 miliardë lekë ose 6.4 miliard më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, ndërsa të ardhurat janë realizuar në nivelin e 7 miliardë lekëve, apo 4.4 miliardë më pak se fakti 2019.
Buxheti vendor Janar-Maj 2019
Shpenzimet 17.2 miliardë lekë
Të ardhurat 7 miliardë lekë
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.