Dalja nga ndihma ekonomike – Strategjia e re, kush ka 5 vjet që përfiton do të integrohet në tregun e punës
Të gjithë personat, të cilët kanë 5 vite në skemën e ndihmës ekonomike do të bëhen pjesë e një skeme integrimi me programet e tjerë të punësimit. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nxjerrë për konsultim Strategjinë 2019-2022, e cila parashikon që në përfundim të kësaj periudhe kohore, të ketë një zbutje të varfërisë ekstreme, duke rritur shenjëstrimin e individëve dhe familjeve ekstremisht të varfra, si dhe integrimin social të tyre.
Objektivi i vendosur në këtë dokument parashikon rritjen në 10% të përfituesve të përfshirë në skemat e punësimit. Ndërkohë që, në këtë kuadër, parashikohet hartimi i “Strategjisë së daljes”, si një program i cili ka si qëllim ndërlidhjen e Programeve të Mbrojtjes Sociale me skema të tjera nxitëse punësimi, duke u krijuar mundësinë e integrimit në tregun e punës të familjeve të cilat kanë rreth 5 vite në skemën e ndihmës ekonomike.
“Strategjia e Daljes” do të synojë krijimi e lidhjes së qëndrueshme midis skemës së Ndihmës ekonomike dhe skemave të arsimit profesional dhe programeve të përgatitjes për punësim, ndërmarrjeve sociale, skemave zhvillimore territoriale, me synim fuqizimin dhe aktivizimin e familjes dhe individit. Sipas të dhënave zyrtare, në muajin dhjetor 2018, numri i familjeve përfituese të ndihmës ekonomike ishte 63.660 familje, nga të cilat 60.052 përfituan direkt nga sistemi i pikëzimit, ndërsa 3.608 të tjera që u përjashtuan prej tij, përfituan nga fondi 6%, një instrument i përdorur nga bashkitë.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.