Deputetët e PD, kundër landfillit: “Rrogozhinë, projekti nuk është konsultuar me banorët”
Deputetet e Partisë Demokratike kanë kundërshtuar ndërtimin e landfillit në Lekaj-Gosë të Rrogozhinës. Sipas tyre, bashkia nuk ka respektuar asnjë kriter ligjor dhe nuk është konsultuar me banorët.
Një përfaqësi e Partisë Demokratike, mori pjesë në takimin me banorët dhe aktivistë të shoqërisë civile, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e Landfill-it të mbetjeve në Lekaj-Gosë në Rrogozhinë. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho deklaroi se Bashkia Rrogozhinë nuk ka respektuar asnjë kriter ligjor për ndërtimin e landfillit.
Ndërsa, deputetja Albana Vokshi deklaroi se, pas këtij krimi mjedisor qëndron Kryeministri, si përfaqësues i mafies në qeveri. Vokshi i bëri thirrje grave dhe vajzave të mos lejojnë ndërtimin e landfillit, që rrezikon t’ju sjellë mbetjet e rrezikshme toksike në dyert e shtëpive.
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike deklaruan se ndërtimi i landfill-it po bëhet pa konsultim me banorët dhe se nuk ekziston asnjë projekt-dokument. Ata thanë se Bashkia Rrogozhinë ka ndryshuar disa herë vendin e ndërtimit të landfill-it, duke shtuar dyshimet për një vepër kriminale mjedisore të urdhëruar nga klane të lidhura me mafien e mbetjeve. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike i bënë thirrje kryeministrit të tërheqë me urgjencë këtë vendim kriminal dhe iu bënë thirrje banorëve dhe aktivistëve te shoqërisë civile të vazhdojnë protestat për të mos lejuar ndërtimin e landfillit.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.