Diplomimi i studentëve të Mjekësisë, Manastirliu: Punësim mbi bazë merite. Në konkurrim, me 10 pikë bonus
Studentët ekselent të Universitetit të Mjekësisë apo Infermierisë, do të hyjnë në procedura konkurrimi për t’u punësuar në qendra shëndetësore ose spitale publike, me 10 pikë bonus. Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë ceremonisë së diplomimit të studentëve të tre fakulteteve të Mjekësisë dhe fakultetit të Infermierisë në Tiranë.
“Puna e nisur nuk do të ndalet derisa të realizohet çdo angazhim, që nga përmirësimi i kushteve në konvikte, tek biblioteka dixhitale, te tarifat e studentëve, transparenca e buxheteve, punësimi i studentëve ekselentë dhe krijimi i mundësive të barabarta për punësim”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se do të garantohet që çdo profesionist, të punësohet me meritë.
“Prej një viti po konsolidojmë portalin Infermierë për Shqipërinë, ndërsa jemi duke punuar për krijimin e portalit Mjekë për Shqipërinë, ku do të bëhen transparente vendet vakante dhe do të ofrohet më shumë mundësi përzgjedhje për mjekët e rinj, për tu punësuar në sistemin shëndetësor publik”, tha në fjalën e saj Manastirliu.
Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Pallatin e Kongreseve, u diplomuan 591 studentë të 3 fakulteteve të mjekësisë dhe 1560 studentë të Infermierisë dhe shkencave mjekësore teknike.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.