Drejtësi për…kredi, Bankierët: Sistemi i drejtësisë ngelet pengesë

Problemet me sistemin e drejtësisë janë ende një pengesë në kreditimin e ekonomisë. Në një intervistë për Tv Scan, Gazmend Kadriu, drejtor i përgjithshëm i Union Bank, thotë se, në shumë raste kur bankat janë në dilemë për ta miratuar apo jo kredinë, mungesa e garancisë në procesin e ekzekutimit i shtyn ato që të marrin një vendim negativ.
Sipas tij, bankat kanë pritshmëri të mëdha nga reforma në drejtësi, sepse ende gjykatat nuk ofrojnë mbrojtjen e duhur ligjore për kreditorët.
“Në një pjesë të mirë të kompleksit të kredive të këqija, sidomos në krahun e kredive më të mëdha seriozitet dhe rëndësi të veçantë sistemi gjyqësorë. Këtu akoma mbetëm me një llojë skepticizmi se a do të arrihet gjithë kjo punë e reformës gjyqësore, se a do të arrihet të jetë një sistem gjyqësor në mënyrë krejtësisht rutinore, normale, që ta kryej edhe funksionin e vetë. Atëherë ndodh kjo konsideratë e riskut nga ana e bankave që atëherë ata frikësohen për kreditimin në rastet marxhinale. Kur mendohet që rasti duket që mund të jetë ose nga krahu pozitiv ose nga krahu negativ vjen e drejta e shtrëngimit, dhe vjen deri te vendimi negativ kreditor”.
Zoti Kadriu është i mendimit se shkaqet e kreditimit relativisht të ngadaltë duhen kërkuar në krahun e kërkesës. Sipas tij, gatishmëria e bankave për të kredituar klientët e mirë nuk ka munguar asnjëherë.
“Fakt është që klientët më të mirë kreditorë mund të zgjedhin nëpërmjet bankave. Ata pa problem mund të flasim disa banka. Shumica e bankave të kontaktuara do të jenë shumë të lumtura për kreditim ne qoftë se shohin një partner të provuar historikisht në sistemin bankar, nëse shohin se ka një biznes të shëndoshë. Halli është normalisht e ata klientë, të cilët nuk kanë një pranueshmëri të gjerë të bankave, dhe të cilët maksimumi 1 ose 2 banka mund të jenë të gatshme për ti suportuar financiarisht. Këtu shtrohet pyetja se mos ndoshta ka ndonjë arsye objektive, se nuk është problemi në anën e bankave sesi shumica e bankave mund të vendosin, që më mirë të mos i hyn riskut, kjo ka të bëjë më shumë në krahun e kërkesës”.
Drejtori i përgjithshëm i Union Bank mendon se për bankat është e rëndësishme që kreditimi i ekonomisë të jetë i ekuilibruar mes segmenteve të ndryshme të klientëve. Sipas tij, tregu ka potenciale të mëdha zhvillimi, sidomos në drejtim të kreditimit të bizneseve të vegjël dhe të mesëm.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.