Drejtori i Policisë së Shtetit Çako pret homologun turk – Në 2018 mbledhje e Komisionit të Përbashkët për Sigurinë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, priti ditën e hënë një Delegacion të Lartë të Policisë Turke të kryesuar nga Guvernatori dhe Drejtori i Përgjithshëm i Sigurisë i Republikës së Turqisë, Selami Altinok.
Fuqizimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Policive të dy vendeve ishte në fokus të takimit, ndërsa Çako dhe Altinok e kanë vlerësuar si të shkëlqyer bashkëpunimin aktual mes dy autoriteteve policore.
Të dy drejtuesit kanë nënvizuar gatishmërinë që ashtu si me vendet e tjera të Ballkanit, të thellojnë edhe më tej luftën kundër elementëve radikalë dhe fenomeneve që shqetësojnë dhe cënojnë sovranitetin dhe sigurinë kombëtare.
“Në emër të Policisë së Shtetit ju shpreh mirënjohjen e thellë lidhur me çdo mbështetje, e në mënyrë të veçantë, me kontributin që i është dhënë Policisë së Shtetit në arsimimin policor, por edhe me vazhdimin e specializimeve që bëjnë oficerët e Policisë Shqiptare në Akademinë e Turqisë.
Keni treguar se pavarësisht nga gjuha, misioni dhe qëllimi ka qenë i njëjtë, ndaj dhe operacionet e përbashkëta kanë pasur sukses të padiskutueshëm dhe të vlerësuar nga partnerët tanë”, u shpreh Çako.
“Unë uroj dhe dëshiroj që kjo vizitë të kontribuojë shumë në zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit që vazhdon prej një kohe të gjatë midis dy Drejtorive të Përgjithshme të dy institucioneve tona.
Marrëdhëniet tona po vazhdojnë në të gjitha fushat në një mënyrë të përkryer.
Ka pasur një bashkëpunim shumë të mirë dhe intensiv në fushën e trajnimeve midis dy Drejtorive të Përgjithshme”, tha Altinok.
Në fund të takimit Altinok ka shprehur kërkesën që gjatë vitit 2018 të mblidhet Komisioni i Përbashkët për Sigurinë në Turqi, iniciativë e cila është mirëpritur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.