DRT takim informues në Kukës – Fokusi, ndryshimet në Paketën Fiskale 2019

Drejtoria Rajonale Tatimore ka zhvilluar takimin e radhës në qytetin e Kukësit, ku ka informuar të pranishmit rreth ndryshimeve ligjore të Paketës Fiskale 2019.
Sipas njoftimit të DRT në takim morën pjesë rreth 50 ekonomistë dhe ekspertë kontabël, të cilët përfaqësojnë edhe pjesën më të madhe të tatimpaguesve të këtij rajoni.
Në përgjithësi përfaqësuesit e DRT informuan pjesëmarrësit për ndryshimet kryesore në legjislacionin tatimor, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me Procedurat Tatimore, Tatimin mbi të Ardhurat, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe Taksat Kombëtare.
Albert Halilaj, Drejtori i DRT Kukës tha se tatimpaguesit e këtij rajoni, mund të merrnin në çdo kohë informacionin dhe asistencën e nevojshme për të kuptuar ndryshimet ligjore që kanë hyrë në fuqi.
Në të njëjtën mënyrë edhe bizneset informohen në vendet e ushtrimit të aktivitetit të tyre nga punonjësit e Shërbimit të Tatimpaguesve, të cilët shpërndajnë broshura dhe materiale informuese.
Sipas DRT përfaqësuesit e biznesit vlerësuan angazhimin profesional të Administratës Tatimore për të informuar mbi çështje të veçanta ligjore që prekin zhvillimin e sipërmarrjes së tyre.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.