Durrës/ Kundërshtuan punonjësit e Policisë dhe prishën rendin e qetësinë publike – Arrestohen në flagrancë 3 shtetas
Policia e Shtetit ka njoftuar se për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe kundërshtimit të punonjësit të Policisë ka arrestuar në flagrancë 3 shtetas në qytetin e Durrësit.
Sipas njoftimit shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh Durrës, pas njoftimit të marrë se disa persona po prishnin qetësinë publike kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë. “Në momentin që punonjësit e Patrullës së Përgjithshme kanë ndërhyrë për t’i shoqëruar në ambientet e Policisë, pasi kishin prishur rendin e qetësinë dhe kishin dëmtuar disa sende, tre shtetas kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë. Me ndërhyrjen dhe të disa shërbimeve të tjera janë shoqëruar në Polici dhe në përfundim të veprimeve janë arrestuar në flagrancë për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, “Prishja e qetësisë publike”, shtetasit A. A., 24 vjeç, F. Sh., 21 vjeç dhe E. K., 25 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja””, bën me dije njoftimi.
Gjithashtu po sipas Policisë, Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore Durrës të Policisë Durrës, në zbatim të masave të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19, gjatë kontrollit për autorizimin përkatës të lëvizjes me mjet, arrestuan në flagrancë shtetasin L. D., 49 vjeç, banues në Krujë, pasi konstatua nga shërbimet e Policisë duke drejtuar mjetin tip “Benz” në gjendje të dehur në masën 0.59 mg/litër dhe në kundërshtim me Aktin Normativ.
Sipas njoftimit Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë për veprën penale “Vjedhja e mbetur në tentativë”, shtetasin K. A., 44 vjeç, pasi u kap nga shërbimet e Policisë në lagjen nr. 3, Durrës, duke tentuar të vjedhë në banesën e shtetasit N. B.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.