Dy figura të reja në Ministrinë e Brendshme – Ndryshon kreu i SHÇBA dhe Sekretari i Përgjithshëm
Anila Trimi dhe Dritan Palnikaj janë dy emërimet e reja në organikën e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ditën e enjte, ministri Xhafaj ka firmosur urdhrin që e vendos zonjën Trimi në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA). Ajo zëvendëson në këtë detyrë Eduard Merkajn, i cili u emërua më herët në detyrën e Drejtorit të Departamentit të Policisë Kriminale, në Policinë e Shtetit.
Që prej Tetorit të vitit 2017, Trimi ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme. Më herët, ajo ka drejtuar Drejtorinë e Përgjithshme të Antitrafikut dhe Azilit në MB dhe ka punuar në Policinë e Shtetit në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar. Znj.Trimi është diplomuar në Akademinë e Policisë, si dhe për Drejtësi.
Ndërkohë, ish-postin e saj në Ministri do ta marrë Dritan Palnikaj, i cili është tashmë Sekretari i ri i Përgjithshëm i këtij institucioni. Palnikaj ka qenë pjesë e kabinetit të kryeministrit Rama, ndërsa më herët ka shërbyer edhe si Këshilltar i Ministrit të Brendshëm.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.