Dy seancat e fundit të vitit/ Për votim 4 ligjet e “vetting-ut” të biznesit, afati për investimet, kadastra e përshpejtimi i procesit të pronës
Pas diskutimeve 1 mujore për buxhetin e vitit 2019 e paketën e re fiskale, Kuvendi do t’i rikthehet diskutimeve dhe votimeve të projektligjeve të tjera që janë depozituar prej muajsh e presin votimin. Sa i përket këtij sesioni, Kuvendi parashikohet të zhvillojë edhe dy seanca të tjera plenare për të mbyllur punimet e këtij viti të enjten e 20 dhjetorit.
Në seancën e datës 13 dhjetor janë parashikuar të diskutohen e votohen 13 vendime e projektligje, mes të cilëve ndryshimet në ligjin për investimet e huaja që zgjat afatin e mbrojtjes së posaçme shtetërore, deri në datën 31 dhjetor 2019. Ligji në thelb parashikon që për rastet e investimeve të huaja, kur ka pretendime pronësie, shteti merr përsipër përballjen në gjykatë e zgjidhjen e problemeve të pronësisë.
Kjo shtyrje afati është ndërmarrë me një vit, për arsye se po përgatitet një ligj i ri integral për investimet.
Nisma të tjera që janë parashikuar të votohen në këtë seancë janë ndryshimet në ligjin për ndihmën shtetërore, prokurimet publike, turizmin apo investimet strategjike që në thelb parashikojnë “vetting-un” e kompanive që garojnë për fonde publike. Ndryshimet ligjore synojnë të pengojnë aksesin në fonde publike të operatorëve ekonomikë të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Një projektligj tjetër i parashikuar për t’u votuar në seancën e 13 dhjetorit është edhe ai për përfundimin e procesit të regjistrimit të titujve të pronësisë për tokën bujqësore. Krahas thjeshtimeve të disa procedurave, ndryshimet parashikojnë shtyrjen e afatit deri me 30 qershor të vitit 2019.
Në seancën e fundit të këtij viti të datës 20 dhjetor është parashikuar në rend dite votimi i 15 projektligjeve e vendimeve. Në listën e gjatë të projektligjeve që parashikohet të votohen janë shkrirja e institucioneve të pronës dhe bashkimi në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe projektligji që synon të përshpejtojë zgjidhjen e problematikave të pronësisë duke bashkuar procesin e legalizimeve, kompensimit të pronarëve dhe tokës bujqësore.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.