Edhe “Moody`s” fajëson politikën – Nuk ka angazhim, po ngadalësohen reformat
Edhe gjiganti tjetër i vlerësimit të kreditit, Moody`s ashtu si Standard and Poor`s ka mbajtur të pandryshuar notën e borxhit sovran të vendit tonë, në B1 me perspektivë të qëndrueshme. Agjencia sqaron se, vendimi për të mbajtur të pandryshuar notën e borxhit bazohet në disa faktorë kyç, si: perspektiva e favorshme ekonomike, ngadalësimi i reformave, borxhi në rënie por ende i lartë si dhe nga gatishmëria e sistemit bankar për të përballuar një “shok” të mundshëm.
Kështu, ashtu si Standard and Poor`s edhe Moody`s tashmë paralajmëron Shqipërinë për ngadalësimin e reformave. Standard and Poor`s sqaronte se kjo është rrjedhojë e klimës së tensionuar politike në vend, jo vetëm me përplasjet mes pozitës dhe opozitës por tanimë edhe mes qeverisë dhe Presidentit të Republikës. Moody`s ndërkohë thotë se, vendi mbetet vulnerabël; si nga rreziqet e jashtme ashtu edhe nga ata të brendshëm, e po ashtu edhe nga angazhimi i dobët politik për reforma.
Për më tepër, vijon komenti i Moody`s, luhatshmëritë e fundit politike përbëjnë rrezik për projeksionet ekonomike si dhe në hapin e implementimit të reformave”. Sa i përket rritjes ekonomike, Moody`s thotë se, këtë vit dhe atë të ardhshëm, norma do të jetë në rreth 3.6%. Agjencia përmend edhe suksesin në disa reforma gjatë viteve të fundit, por nuk lë pa përmendur reformat që kanë ngecur, si ajo në sektorin energjetik me liberalizimin. Sa i përket rreziqeve fiskale, Moody’s radhit varësinë e lartë energjetike nga kushtet atmosferike dhe skemat e PPP. Njësoj si S&P, edhe Moody`s paralajmëron për rrezikun që buron nga to.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.