Efektet e Eurobondit në ekonomi, eksperti Meka: Kujdes me kursin e këmbimit, të synohet normë interesi deri në 3 %
Në muajin Maj, pritet që qeveria të dalë në tregjet ndërkombëtare për të marrë borxh, përmes emetimit të një Eurobondi të ri me vlerë deri në 600 milionë euro dhe afat maturimi nga 7 deri në 10 vjet. Në një intervistë për SCAN, eksperti i tregjeve financiare Elvin Meka shpjegon se huaja e re mund të kanalizohet në pagesën e interesave të borxheve të marra, pagesat koncesionare, si dhe procesin e rindërtimit. Ndërsa këshillon që të bëhet kujdes në manaxhimin e kursit të këmbimit.
“Në mënyrë të pashmangshme një pjesë duhet të shkojë për financimin e investimeve si dhe për pagesën e koncesioneve. Futja e një sasie të tille paraje në monedhë të huaj, duhet pasur parasysh nga Banka e Shqipërisë, për të marrë masat e nevojshme, në mënyrë që të mos prishen pikërisht treguesit bazikë dhe fundamental makroekonimkë, të ciëlt mund të ndikohen lehtësisht nga nje zhbalancim i shpejtë i kursit të këmbimit në favor të lekut shqiptar.”
Sipas tij, qeveria duhet të synojë një normë interesi deri në 3 për qind dhe duhet të jetë e kujdesshme që të mos tejkalojë kufirin e stokut të borxhit.
“E mira do ishte që niveli të zbriste nën 3% duke parë edhe situatën globale, ku kemi një valencë fare të uëlt të normave të interesit. Duhet të kemi parasysh disa elementë, si madhësinë e stokut të borxhit të Shqipërisë, normën e rritjes ekonomike që shërben si një efekt sterilizues i rritjes së efektit të borxhit. Këtu do të shihet edhe nëse Shqipëria do të synojë një afat përtej 7 vjet, duke shkuar drejt 10 viteve. Ky do të ishte një lajm shumë i mirë për vendin tonë.”
Ministria e Financave ka bërë kërkesën zyrtare për nënshkrues që do të japë ndihmën për emetimin me sukses të Eurobondit. Në muajin Tetor të 2018-ës, qeveria shqiptare realizoi Eurobondin e tretë në tregjet ndërkombëtare, me vlerë 500 milionë euro duke përfituar një normë interesi 3.5 për qind, me afat maturimi 7-vjeçar.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.