Efekti paszgjedhor – Korrik, rriten kredia dhe depozitat

Kredia për ekonominë iu kthye rritjes në muajin korrik. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i kredisë arriti në 545 miliardë lekë, dy miliardë lekë më shumë krahasuar me qershorin.
Kjo ishte rritja e parë e portofolit të kredisë për ekonominë, që nga muaji mars. Ndryshimi vjetor i kredisë ngelet negativ, megjithatë rënia është ngushtuar në më pak se 1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Segmenti më i shëndetshëm ngelet kreditimi i individëve, që vijoi rritjen për të pestin muaj radhazi.
Vlera totale e kredisë dhënë individëve nga bankat dhe institucionet e tjera financiar ka arritur në 173 miliardë lekë, në rritje me 4.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, kredia për biznesin dha shenja gjallërimi gjatë muajit korrik, duke regjistruar një rritje modeste prej 700 milionë lekësh. Megjithëse rritja në vetvete nuk është shumë e lartë, zgjerimi i portofolit të huamarrjes ndodh për herë të parë që nga muaji shkurt, duke dhënë shpresë për një ecuri më të mirë në gjysmën e dytë të vitit.
Mund të jetë një rastësi, por rritja e kredisë ka ardhur menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve. Kjo konfirmon se pasiguria e periudhës parazgjedhore mund të ketë qenë një faktor me ndikim në ecurinë e kreditimit. Një tendencë e ngjashme është verifikuar edhe për depozitat. Pas tre muajsh në rënie, depozitat bankare u rritën me mbi 5 miliardë lekë gjatë muajit korrik.
Sidoqoftë, veç tejkalimit të ndikimit të zgjedhjeve, për depozitat duhet pasur parasysh edhe efekti sezonal. Muajt korrik dhe gusht historikisht sjellin një rritje të fluksit të depozitave bankare, e lidhur me turizmin dhe remitancat.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.