Ekskluzive/“Moody`s” ruan B1 – Perspektiva për Shqipërinë nuk ndryshon, vlerësime për buxhetin
Agjencia e vlerësimit të kreditit Moody`s ka mbajtur të pandryshuar vlerësimin për Shqipërinë në B1 me perspektivë të qëndrueshme, duke konfirmuar kështu të njëjtin vlerësim. Ky vendim është shoqëruar edhe me raportin periodik mbi vlerësimin e kreditit për Shqipërinë, të siguruar ekskluzivisht nga Scan.
Të gjitha notat dhe vlerësimet për katër shtyllat kryesore të profilit të kreditit mbeten të pandryshuara në krahasim me raportin e kaluar. Projeksionet ndërkohë siç u bë publike edhe në shifrat e publikuara më 29 nëntor, janë rishikuar në territor pozitiv.
Risia e raportit të ri mbetet vlerësimi me nota pozitive i buxhetit të vitit të ardhshëm. Një ndër pikat që vlerësohet pozitivisht është ajo e limitit të vendosur prej 40% të Prodhimit të Brendshëm Bruto mbi totalin e projekteve që mund të kontraktohen nëpërmjet skemës së Partneritetit Publik Privat.
“Ky është një zhvillim pozitiv që do të parandalojë rritjen e detyrimeve të qeverisë në vitet në vijim”, thotë Moody`s. Por, mes rreshtave thuhet edhe se, buxheti është bazuar mbi një rritje ekonomike në 4.2%, që është mjaft optimiste.
Sa i përket politikës ndërkohë, agjencia nënvizon: “pavarësisht se polarizimi që karakterizon Shqipërinë është vështirë që të zhduket, konsensusi ndër-partiak për të vazhduar në rrugëtimin e përbashkët europian do të vazhdojë të shërbejë si një spirancë politike pavarësisht vonesave që janë nxitur shpeshherë nga vetë politika.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.