Eksperti i ri fiskal – Biznesi kundër draftit, krijon monopol shërbimi

Mosdiskutimi sa duhet dhe ne kohën e duhur i ligjeve që kane impakt të drejtpërdrejtë apo të tërthortë tek biznesi, vazhdon të jetë shqetësim për sipërmarrjen.
Shqetësimi i fundit i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës është për një nismë e deputetit të Kuvendit Gjovalin Kadeli për projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Profesionit të rregulluar të Ekspertit Fiskal dhe Institutit të Ekspertëve Fiskalë”, draft i cili tashmë është përfshirë në agjendën e diskutimeve në komisionet parlamentare.
Sipas një shkrese zyrtarë që kjo dhomë i ka dërguar kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, dhe për dijeni edhe Ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, përmes kësaj ndërhyrjeje po lobohet për të monopolizuar shërbimet e konsulencës fiskale, pasi drafti propozon “monopol” dhe bën të ndaluar këtë shërbim për këdo tjetër, përveç Ekspertit Fiskal.
Kjo nënkupton që të gjithë që duan të bëjnë konsulencë fiskale si ekspert fiskal, audit, etj duhet të licencohen nga Instituti i Ekspertëve Fiskalë (IEF), që pritet të krijohet në kuadër të këtij ligji të ri dhe duhet të paguajnë çdo vit një tarifë.
Ky shërbim, që kërkohet të monopolizohet përmes këtij drafti, thuhet në shkresë, aktualisht jepet nga të punësuar në shoqëri (financierë dhe administrator me kualifikimin përkatës), Kontabilistë të Miratuar si profesion i rregulluar, Ekspertë Kontabël të Regjistruar, Avokatë dhe juristë të së drejtës tregtare dhe më gjerë, të tjerë të diplomuar, të lejuar sipas kurrikulave përkatëse universitare.
Të gjithë këta profesionistë pritet të dalin jashtë loje në kuadër të këtij drafti të ri. Por kjo sipas DHTI, do të jetë dhe edhe një kosto e shtuar për biznesin, pasi dhe në këtë rast ata janë të detyruar që këto shërbime të merren vetëm nga ekspertët fiskalë.
“Kjo është kosto shtesë “e fshehur” për biznesin dhe detyrim i pavend për të imponuar marrjen e këtij shërbimi vetëm nga “Ekspertet Fiskal’ anëtarë të “Institutit të Ekspertëve Fiskalë”, kur aktualisht merren nga të punësuarit e vetë tatimpaguesve apo të tjerë profesionistë të kontraktuar”, shkruhet në shkresën e sipërmarrjes drejtuar ligjvënësve.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.