Emergjenca e mbetjeve/ Këshilli i Ministrave miraton vendimin: Bashkitë e Durrësit, masa të menjëhershme
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që përcakton se Bashkitë e Qarkut të Durrësit duhet të marrin masa të menjëhershme për gjetjen e zgjidhjeve për menaxhimin/trajtimin e mbjetjeve urbane në këtë qark, duke mbajtur në konsideratë legjislacionin në fuqi në fushën e mbetjeve.
“Pas studimit të tregut dhe gjetjes së zgjidhjeve më të mira financiare për trajtimin e mbetjeve urbane, në përputhje me standardet e menaxhimit të integruar të mbetjeve, nëse efektet financiare të zgjidhjes janë të pamjaftueshme për t’u përballuar nga buxheti i bashkisë përkatëse të Qarkut të Durrësit, bashkia i drejtohet ministrisë përgjegjëse për financat, me qëllim mbulimin e diferencës së efekteve financiare të kërkuara.
Pas dërgimit të kërkesës financiare, ministritë propozuese të këtij akti i propozojnë Këshillit të Ministrave miratimin e mbështetjes financiare për bashkitë e përfshira në Qarkun e Durrësit, në përputhje me instrumentet e parashikuara në legjislacionin në fuqi” përcaktohet në vendim.
Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, bashkitë e Qarkut të Durrësit, këshilli i qarkut përkatës dhe prefekti i Qarkut Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.