Është “shteti” ai që diskriminon – Në administratën publike hendeku gjinor në paga, në 13.7%, për bizneset në 2.4%
Publikimi më i fundit i Institutit të Statistikave (Instat) për burrat dhe gratë hedh dritë mbi ndasitë gjinore në shumë aspekte të jetës sonë të përditshme. Një prej indikatorëve më të saktë të këtij hendeku është pikërisht ai në paga. Sipas Instat, në vendin tonë, hendeku në paga mes burrave dhe grave fiksohet në rreth 10%, në favor të burrave.
Por, ajo që bie në sy nga shifrat është se, “shteti” diskriminoin më shumë, edhe mbi mesataren kombëtare. Gratë të cilat janë pjesë e administratës publike paguhen 13.7% më pak se burrat, thonë të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave. Pas sektorit të prodhimit, sektori publik është i dyti për hendekun më të madh gjinor në paga. Madje, të dhënat tregojnë se nga viti 2018 në 2019-ën, hendeku gjinor në paga në “shtet” është rritur ndjeshëm, nga 10.1%, në 13.7% në vetëm një vit, çka sinjalizon një tendencë alarmante.
Ndërkohë, në sektorin publik, 55% e punonjësve janë gra dhe vetëm 45% burra, çka sinjalizon se, hendeku gjinor në paga në këtë sektor është rrjedhojë e faktit se, burrat mbajnë poste drejtuese e me paga të larta më shumë se gratë. Për bizneset e zakonshme, si tregtia, hoteleria, apo shërbimet private, hendeku gjinor zbret në vetëm 2.4%, thonë të dhënat e Instat.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.