Falsifikonte siguracionet e automjeteve, arrestohet pas denoncimit të qytetarëve
Policia e Shtetit ka vënë në pranga 21 vjeçarin me iniciale F.B, për falsifikim të siguracioneve të automjeteve. Nga hetimet e kryera rezulton se ky shtetas, gjatë muajit korrik 2019, në Portin e Barit, Itali, ka falsifikuar 13 siguracione në emër të shoqërive të ndryshme sigurimi, për automjete që hyjnë në Shqipëri.
Pas denoncimeve të shumta të qytetarëve dhe një hetimi dymujor, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në D.V.P Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, finalizoi operacionin policor. Shtetasi F.B është nën akuzë për veprat penale “Falsifikimi i letrave me vlerë”, “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”.
Ndërkohë, puna e policisë po vazhdon, për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar.
Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.