Favorizime në fitimin e tenderëve – Kompanitë që punësojnë përfitues të ndihmës ekonomike, 2-5 pikë bonus
Kompanitë që do të punësojnë persona që trajtohen me ndihmë ekonomike do të përfitojnë një bonus prej 2-5 pikësh në çdo tender publik, qoftë ky qendror apo lokal, ku ata marrin pjesë në vitin pasardhës”. Kjo është një prej masave për subvencionin e punësimit, që parashikohet në Programin Kombëtar të Daljes për Përfituesit e Ndihmës Ekonomike, që synon nxitjen dhe aftësimin në punë për këtë kategori.
Dokumenti është nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ndërsa parashikon dhe një sërë masash të tjera për stimulimin e punësimit për këta persona. Kështu, për punësime në punë të reja parashikohet subvencionimi i plotë i pagës minimale në shkallë vendi për një afat që mbetet ende i pacaktuar. E njëjta masë parashikohet edhe për punësimin e personave të rinj që i përkasin grupmoshës 16-25 vjeç, si dhe të atyre personave që i përkasin kësaj grupmoshe, por që punësohen për herë të parë.
Sipas programit, Politikat Aktive të Tregut të Punës të duhet te prioritizojnë punësimin e përfituesve të NE dhe për këtë arsye, Investimet publike në tërësi, qendrore dhe lokale, koncesionet, punët komunitare duhet të kushtëzojnë zbatimin e tyre nga palë të treta me punësimin e përfituesve të punësueshëm të NE.
Aktualisht, vetëm 12.9% e përfituesve të ndihmës ekonomike kërkojë punë e kryesisht i përkasin grupmoshës mbi 50 vjeç. Ndërkohë që, përfituesit që merren parasysh në këtë program janë individë që mund të punësohen në grupmoshën 15-64 vjeç. Sipas programit, “ky grup përfshin një pjesë të madhe të të rinjve që nuk ndjekin shkollën, që i përkasin grupmoshës 15-29 vjeç dhe që përbëjnë rreth 30.5% të totalit”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.