Fazat e “fiskalizimit”/ Nga 1 janari, biznesi duhet t’i raportojë shitjet në kohë reale e jo më 1 herë në ditë. Në 2021, dy faza të reja
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj zhvilloi një takim me përfaqësues të komunitetit të biznesit në Fier, qëllimi i të cilit ishte informimi dhe diskutimi lidhur me projektiligjin e “Fiskalizimit”.
Ministrja Denaj shoqërohej në këtë takim nga Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj dhe drejtues të Drejtorisë Rajonale Tatimore Fier. Bizneset e pranishme në takim i përkasin sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, si tregtia, hoteleri-turizmi, bar-restorante, gazi, transporti, ndërtimi, etj. Denaj premtoi se për çdo fazë do të ketë një komunikim të vazhdueshëm me biznesin, si përpara miratimit të projektligjit, ashtu edhe kur të nisë zbatimi i tij.
“Ky proces nuk ka filluar sot, ka filluar pak më përpara, me angazhimin e qeverisë për të përmirësuar sistemin e mbledhjes së informacionit. Pse doli e nevojshme mbledhja e informacionit? Së pari, doli e nevojshme sepse këto janë sisteme që progresojnë në çdo vend të botës, jo vetëm në Shqipëri. Përpara pesë vjetësh, i gjithë sistemi i marrjes së informacionit ishte në një standard, sot është në një standard tjetër dhe teknologjia e mundëson për më tepër, marrjen e këtij standardi”, sqaroi Ministrja.
Aktualisht projektligji është në fazën e konsultimit të tij me grupet e interesit, ndërkohë që në muajin tetor do të nisë testimi i sistemit, për cilin sërish do të vijojë komunikimi me biznesin, në mënyrë që kur të nisë të nisë aplikimi biznesi të jetë i mirëinformuar.
Nga ana e saj, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj, informoi mbi fazat në të cilat do të kalojë reforma e Fiskalizimit dhe risitë që do të sjellë, ku faza e parë, e cila përfshin marrëdhëniet biznes-konsumator është parashikuar të nisë në 1 janar të vitit 2020, ndërsa dy fazat e tjera, që përfshijnë marrëdhëniet “biznes me biznes” dhe “biznes-shtet” janë planifikuar të nisin në 2021.
“Ndryshimi kryesor që projekti paraqet është raportimi në kohë reale i të gjithë faturave. Aktualisht bizneset që tregtojnë me konsumatorin dërgojnë pranë DPT informacion në bazë ditore të shitjeve të tyre. Nga 1 janar 2020, të dhënat nuk do të dërgohen në bazë ditore, por do të dërgohen sa herë që një shitje gjenerohet. Fatura do të dërgohet në serverin e DPT, nëpërmjet aplikacionit dhe sistemit që po ngrihet. Fatura do validohet në kohë reale nga serveri ynë dhe do të kthehet mbrapsht e fiskalizuar. Procesi do zgjasë pak sekonda”, sqaroi Ibrahimaj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.