Financat synim rritja ekonomike 5,5 % – Ahmetaj: Rrisim ekonominë. Gjiknuri: Përfundojmë rrugët
Rritja ekonomike me 5,5 %, investime të mëdha në infrastrukturë, apo ulja e borxhit publik, ishin disa nga objektivat kryesore që qeveria Rama 2, ka për mandatin e saj të 2-të. Ministri i financave Arben Ahmetaj, u ndal edhe te debati për futjen e bizneseve të vogla në skemën e TVSH-së, duke theksuar se nuk do të ketë asnjë kosto. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, tha se këtë mandat do të përfundojnë gjithë akset kombëtare problematike.
Ministrat e kabinetit Rama 2, kanë zgjedhur Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste për të shpalosur objektivat për 100 ditëshin e parë dhe për 4 vitet që vijnë. Ministri i Ekonomisë dhe Financave Arben Ahmetaj, tha se objektivi madhor në këtë mandate është thithja e investimeve të huaja, ulja e borxhit publik dhe rritja ekonomike që parashikohet të shkojë në 5,5 %.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, tha se gjatë këtij mandate do të përfundojnë një pjesë e madhe e akseve kombëtare të pambaruara, dhe do investohet në modernizimin e rrjetit të energjisë.
Në mbledhjen e asamblesë, u theksua se në këtë 4 vjeçar do të vijojnë reformat e thella dhe do zhduken burokracitë.
Arbër Hitaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.