Firmoset marrëveshja me BERZH për investime në turizëm dhe trashëgiminë kulturore – “Do ndryshojë peizazhin e gjithë rajonit”
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) do të financojë një program investimesh në infrastrukturën turistike dhe trashëgiminë në Shkodër, Berat, Fier, Korçë dhe Gjirokastër.
Sipas njoftimit të lëshuar nga kryeministria, sot u nënshkrua online Memorandumi i Mirëkuptimit dhe dy marrëveshjet e Financimit për Zhvillimin e Turizmi dhe Infrastrukturës, në prani të Kryeministrit Edi Rama, Presidentit të BERZH-it, Jurgen Rigterink dhe ambasadorit të Delegacionit të BE-së, Luigi Soreca.
Në fjalën e mbajtur gjatë takimit, Kryeministri Rama është shprehur se “Memorandumi që po nënshkruajmë sot është një hap i rëndësishëm, i cili njeh plotësisht objektivat tona të integrimit në Bashkimin Europian. Ai përbën një instrument shtesë mjaft të vyer, që me shpresë do të ndihmojë Shqipërinë për të ecur shpejt me punën me kapitujt e legjislacionit komunitar. Po kështu jam shumë i lumtur të pranoj atë çfarë kemi arritur në kuptimin e zhvillimeve tona, për të cilat sigurisht BERZH-i ka qenë kyç.”
Presidenti i BERZH-it, Jurgen Rigterink nga ana e tij ka vlerësuar angazhimin e qeverisë shqiptare për realizmin e kësaj marrëveshje .
I pranishëm në takim, Ambasadori Luigi Soreca është shprehur se: “Siç e tha Komisioneri, tashmë topi është në fushë, jo vetëm të BE-së, por edhe të Shqipërisë dhe çdo ndihmë teknike, siç e përmendi Kryeministri, për të arritur projektin më të mirë që mund të ketë ndikim në nivel rajonal në sektorin infrastrukturor. Me gjasë, në 4-5 vitet që vijojnë, siç tha dhe Komisioneri Valhelyi, mund të ndryshojë peizazhin e rajonit.”
D.B – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.