Fitoi medalje në Olimpiadën Ballkanike të Matematikës – Nxënësi, vizitë surprizë nga Ministrja e Arsimit
Maturanti Lorenc Bushi ka marrë ditën e premte një vizitë surprizë nga Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, pas fitimit të para pak ditëve të medaljes së bronzit në Olimpiadën e 35-të Ballkanike të Matematikës, të zhvilluar në Beograd.
Ministrja ka shprehur mirënjohjes për talentin e ri në matematikë dhe u ka bërë thirrje maturantëve të tjerë të ndjekin studime të larta për matematikë, shkenca, inxhinieri, teknologji, etj., pasi është një fushë që ka gjithmonë treg pune e po ashtu ka vend për të patur sukses.
“Falënderim dhe mirënjohje për gjithçka që ke bërë për të bërë Shqipërinë dhe shkollën shqiptare krenare me talentin dhe pasionin tënd për matematikën”, u shpreh Nikolla.
Ekipi shqiptar në Olimpiadë, krahas vendit të tretë të fituar nga Bushi, ka marrë edhe një medalje nderi nga nxënësi Igli Mlloja.
“Lorenci është i vetmi deri më sot që ka arritur të marrë tri medalje bronzi dhe i pari në historinë e olimpiadave të matematikës për Shqipërinë. Të kesh një nxënës si Lorenci, një kënaqësi shumë e rrallë, për mësuesit, nxënësit dhe shkollën”, deklaroi mësuesi i matematikës, Halit Shehu.
Së shpejti, Lorenci do të përfaqësojë vendin edhe në Olimpiadën Botërore të Matematikës, një konkurs ku ai merr pjesë për herë të dytë. Për të, kjo ishte hera e tretë radhazi që merr medalje Bronzi, pas edicionit të mëparshëm të Olimpiadës Botërore në Brazil dhe Olimpiadës së 34-t Ballkanike të Matematikës në Ohër.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.