“Fluturon” fatura e bonusit të strehimit – Tërmeti/ Kërkesat kapin vlerën e 2.6 miliardë lekëve
Kërkesat e ardhura deri më tani nga qytetarët e prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit për bonus strehimi, llogariten në një fature prej 2.6 miliardë lekësh për vitin 2020, ndërkohë që për këtë zë ishin parashikuar vetëm 1 miliardë lekë. Për këtë qëllim financimi i nevojshëm do të merret nga fondi i rindërtimit dhe do të mbulojë qiranë për 1 vit për familjet përfituese.
Gjatë diskutimit për aktin normativ për buxhetin e vitit 2019-ë në Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave, u sqarua dhe se sa janë shpenzuar gjatë vitit që lam pas për të akomoduar të prekurit nga tërmeti, ku vetëm për hotelet u paguan 270 milionë lekë për muajin Dhjetor.
Tërmeti i 26 nëntorit si dhe gjetja e hapësirave për bonusin e pensionistëve dhe bonusin e bebeve sollën ndryshime në fundvit në buxhetin e shtetit. Komisioni i Ekonomisë ka miratuar aktin normativ, i cili ka hyrë në fuqi që në muajin Dhjetor.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.