FMN, raport për rajonin: Rritje më të shpejtë se ç’pritej, por Shqipëria sërish më lart
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar raportin më të fundit të projeksioneve të globit, atë të muajit korrik, e që publikohet çdo tre mujor. Raporti është paraprak dhe tregon në linja të përgjithshme situatën makro-ekonomike të globit dhe disa rajoneve në veçanti.
Rajonet ndahen jo vetëm gjeografikisht, por edhe në varësi të ekonomisë së tyre. Një prej tyre është edhe Europa në zhvillim, ku futen 16 vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, përfshirë Shqipërinë, të gjitha vendet e rajonit, por edhe vende si Kroacia, Hungaria, Rumania apo Estonia dhe Letonia.
Sa i përket pjesës më të varfër të Europës, Fondi Monetar Ndërkombëtar, ka rishikuar me plot 0.5 pikë përqindje rritjen ekonomike përgjatë këtij viti, në 3.5%, nga 3% që projektonte në raportin e muajit prill. Pavarësisht se është rishikuar ndjeshëm në rritje, kjo normë është 0.2% më e ulët se ajo që Fondi Monetar Ndërkombëtar projekton për ekonominë shqiptare përgjatë këtij viti.
Sa i përket vitit të ardhshëm ndërkohë, Fondi Monetar Ndërkombëtar, ka rishikuar në rënie ekonominë e rajonit, në 3.2% rritje, nga 3.3% që projektonte në prill. FMN vlerëson kështu një rritje ekonomike të rajonit për 2018 plot 0.9 pikë përqindje më të ulët se ç`parashikon për ekonominë shqiptare, ku flet për një normë rritje në 4.1%.
Gjithsesi, raporti i sapopublikuar është vetëm paraprak dhe shumë shpejt do të përditësohet me projeksionet e plota për secilin vend, përfshirë Shqipërinë, ku me shumë gjasa do të ketë një rishikim të projeksioneve, sidomos për vitin e ardhshëm.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.